Përshkrim i shkurtër

Projekti EURALIUS IV “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, financuar nga BE-ja, filloi në shtator të vitit 2014 dhe do të vazhdojë deri në dhjetor të vitit 2017. Me pesë sferat e aktivitetit të tij, projekti do të mbështesë Ministrinë e Drejtësisë, Zyrën për Administrimin e Buxhetit Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Gjykatat, Konferencën Gjyqësore Kombëtare, Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Shkollën e Magjistraturës, Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë, si përfituesit e tij kryesorë. Projekti përbëhet nga ekspertë me kohë të plotë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe nga Shqipëria, të cilët janë të vendosur me zyra në selitë e përfituesve kryesorë.

EURALIUS IV financohet nga Komisioni Evropian me fondet IPA 2013 për Shqipërinë që në total janë afërsisht 4 milionë Euro. 

Vizioni 

EURALIUS IV është projektuar si një projekt i asistencës teknike të BE-së, që do të mbështesë dhe asistojë institucionet kryesore shqiptare të drejtësisë me qëllim përafrimin e performancës së tyre me standardet e BE-së. Objektivi kryesor i projektit EURALIUS IV është fuqizimi i pavarësisë, transparencës, efiçencës, përgjegjshmërisë dhe besimit publik në sistemin shqiptar të drejtësisë në pajtim me të drejtën dhe praktikat më të mira të BE-së.

Aktivitetet e Projektit 

Produktet e punës të lidhura me pesë sferat e rezultateve të pritshme përfshijnë një përzierje të aktiviteteve që shtrihen nga këshillimi strategjik e deri tek fuqizimi institucional, mbështetje për hartimin ligjor, aktivitetet edukative, trajnuese dhe këshillimore, seminaret, workshopet dhe vizitat studimore në Shtetet Anëtare të BE-së. 

Komponentët e projektit 

Projekti EURALIUS IV është organizuar në pesë komponentë kryesorë:

1. Reforma në Drejtësi dhe Organizimi i Ministrisë 

Qëllimi kryesor i këtij komponenti është ndihma për Ministrinë e Drejtësisë në zbatimin e një strategjie sistemi të drejtësisë me synim garantimin e pavarësisë, transparencës dhe efiçencës. Për më tepër, ai synon fuqizimin e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së shërbimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të varura. Po ashtu, ky komponent synon mbështetjen e aksesit të hapur për gjykatat për cilindo dhe transparencë të plotë të procedimeve gjyqësore. 

2. Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Gjykata e Lartë 

Aktivitetet e parashikuara sipas këtij komponenti synojnë mbështetjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë me qëllim sigurimin që vendimet në lidhje me statusin e gjyqtarëve të bazohen në kritere objektive dhe transparente në pajtim me standardet e BE-së. Mbështetja për Gjykatën e Lartë synon fuqizimin e pavarësisë dhe efektivitetit të saj duke siguruar që gjykata të përmbushë detyrën e saj kushtetuese për të shërbyer si orientuese e të gjitha gjykatave të tjera shqiptare duke unifikuar praktikën gjyqësore. 

3. Drejtësia Penale dhe Zyra e Prokurorisë 

Aktivitetet e parashikuara sipas këtij komponenti synojnë përshtatjen e kuadrit legjislativ në çështjet penale duke përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar, me standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Për më tepër, aktivitetet synojnë përmirësimin e efiçencës së hetimeve penale, veçanërisht në lidhje me sferat e specializuara, si dhe fuqizimin e efiçencës dhe përgjegjshmërisë së shërbimit shqiptar të prokurorisë. 

4. Administrimi dhe efiçenca gjyqësore 

Fokusi në këtë komponent është tek transparenca e përmirësuar e vendimeve gjyqësore dhe efiçenca e shtuar e sistemit të drejtësisë. Komponenti do ta realizojë këtë duke përmirësuar bashkërendimin brenda sistemit të drejtësisë dhe duke përmirësuar menaxhimin e çështjeve, kodet procedurale dhe përdorimin e teknologjisë në një nivel mbarë vendi. Komponenti synon lehtësimin e shkurtimit të kohëzgjatjes së gjykimit, uljen e çështjeve të mbartura në gjykata dhe dhënien e përmirësuar të shërbimit për përdoruesit e drejtësisë. 

5. Profesionet ligjore dhe Shkolla e Magjistraturës 

Synimi kryesor i aktiviteteve të parashikuara sipas këtij komponenti është fuqizimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Dhomës Kombëtare të Noterisë, Komisionit Shtetëror për Ndihmën Ligjore, veçanërisht duke dhënë mbështetje në lidhje me procedimet disiplinore, kodet e etikës dhe programet e trajnimit për avokatët dhe noterët, si dhe nëpërmjet mbështetjes për institucionet e shoqërisë civile që ofrojnë ndihmë ligjore. Përveç kësaj, ai synon asistencë për Shkollën e Magjistraturës duke zhvilluar më tej trajnimin e vazhduar për gjyqtarët dhe prokurorët.

 

 

Kalendari i aktiviteteve

Prill 2017
D H M M E P Sh
1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30